Policia: 14 krime elektorale; Qato: 5.851 efektivë për votën

20/06/2017 00:00

Gjatë fushatës elektorale, nga data 26 maj e në vazhdim, Policia e Shtetit ka konstatuar 14 vepra penale që prekin zgjedhjet e lira.

Këtë fakt e bëri të ditur drejtori i Rendit dhe Sigurisë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, i cili tha se policia ka siguruar deri më tani mbarëvajtjen e 2.029 aktiviteteve elektorale nga parti të ndryshme.

“Pengimi i subjekteve zgjedhore, 6 vepra penale; korrupsion aktiv në zgjedhje, 3 vepra penale; kanosje apo dhunim ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje, 5 vepra penale. Në këto ngjarje janë përfshirë 24 autorë, 4 prej të cilëve janë arrestuar, 16 ndiqen në gjendje të lirë, ndërsa 4 persona janë shpallur në kërkim”, deklaroi Altin Qato.

Qato ka bërë të ditur se, në bashkëpunim me OSBE-ODIHR-in janë trajnuar mbi 7.000 punonjës policie, nga të cilët 5.851 do të angazhohen drejtpërdrejt për ruajtjen e qendrave të votimit dhe KZAZ-ve në të gjithë vendin.

“Për sigurimin e 5.362 qendrave të votimit, 90 KZAZ-ve dhe 90 VNV-ve janë bërë përllogaritjet paraprake për punonjësit e policisë, për automjete, pajisje komunikimi, ushqime e të tjera. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dërgoi në KQZ në afatin e përcaktuar listën me 5.851 punonjës të policisë, që do të angazhohen me shërbim për ruajtjen e objekteve zgjedhore në të gjithë Shqipërinë”, shtoi më tej Altin Qato.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta