LSI merr numëruesin e tretë, i katërti ndahet mes PR dhe PDIU

20/06/2017 00:00

“Kolegji Zgjedhor vendosi pranimin e kërkesë padisë, ndryshimin e vendimit 386, datë 12.03.2017 të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”,  jep vendimin gjyqtari Gjin Gjoni.

Në këtë mënyrë Kolegji Zgjedhor vendosi të rrëzojë vendimin e KQZ-së, duke i dhënë LSI numëruesin e tretë në të gjithë tavolinat e numërimit, ndërsa numëruesi i 4 do të ndahet me short nga KQZ mes Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet dhe Partisë Republikane, duke e konsideruar PDIU si parti të opozitës, megjithëse përfaqësuesit e saj në gjyq thanë se janë në mazhorancë.

“Ishte një kthim në shtratin ligjor, shtrat nga i cili KQZ për fat të keq kishte dalë”, tha përfaqësuesi i LSI-së, Ylli Manjani.

Pavarësisht se diskutimet gjatë gjithë seancës u përqëndruan në faktin se si cilësohet një parti qeverisëse apo opozitare, ku dhe deklaratat publike apo votimet në Parlament u paraqiten si prova, Kolegji Zgjedhor, iu referua nenit 96 të Kodit Zgjedhor, i cili e përcakton këtë gjë. Partia Demokratike u shpreh se pavarësisht se është një vendim i padrejtë, do ta pranoi atë.

“Është vendim gjykate i formës së prerë dhe si i tillë jemi të detyruar ta respektojmë. Falë këtij vendimi të Kolegjit Zgjedhor, kemi një tavolinë në të cilën tre anëtarë reflektojnë maxhorancën qeverisëse, dhe një anëtar ai i propozuar nga PD reflekton opozitën”, përfaqësuesi i PD-së, Ivi Kaso.

I papranueshem ishte vendimi dhe për përfaqësuesin e Partisë Republikane Arjan Madhi.

“Provat ishin krejtësisht të ndryshme nga ato që kolegji vendosi, por dhe vetëdeklarimi i PDIU që tha unë jam parti e maxhorancës qeverisëse nuk u morr në konsideratë nga Kolegji”, tha Madhi.

Tashmë pritet që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të mblidhet sërish për të zhvilluar shortin mes PDIU dhe PR për të përcaktuar numëruesit e katërt.

Top Channel