Çako: Policia monitorohet. Xhafaj: Ruani qetësinë! Demiraj: Klima e qetë

19/06/2017 11:15

Haki Çako, i’u shmang përballjes me Ilir Metën gjatë homazheve për ish oficerin Nikoll Vatnikaj, i cili humbi jetën pas një ataku kardiak.

Kryepolici qëndroi për disa minuta në makinë, deri në momentin kur nga Pallati i Kongreseve u largua presidenti i zgjedhur Ilir Meta, i cili ditët e fundit ka artikuluar akuza të rënda në drejtim të tij, ndërsa u kërkua edhe shkarkimi.

“Zoti Çako, LSI ka kërkuar shkarkimin tuaj dhe ju ka etiketuar si Haki droga, keni një koment për këtë?”

“Unë jam drejtori i policisë në bazë të Kushtetutës, por nuk jam lider politik, dhe nuk më lejohet kategorikisht të bëj deklarata, por sigurisht këto janë korrente politike, por unë drejtoj policinë që është e depolitizuar me ligj dhe po ndjek gjithë procesin zgjedhor”. u përgjigj Çako.

Çako tha se gjithë veprimtaria e policisë po monitorohet edhe nga partnerët ndërkombëtar, të cilët informohen nga uniformat blu, në kohë reale për çdo situatë. Në debat është përfshirë edhe ish ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj.

““Politika duhet të jetë më e qetë dhe të respektojë funksionet kushtetuese dhe ligjore të Policisë së Shtetit. Policia e Shtetit duhet të jetë shumë e ashpër ndaj çdo akti dhune dhe të godasë fort çdo element dhe individ, pavarësisht se kujt force politike i përket, që synon shitblerjen e votës në këtë vend”, tha Xhafaj.

Por pasuesi i tij, ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj, në një intervistë dhënë Zërit të Amerikës deklaroi se klima e këtyre zgjedhjeve është e qetë, me përjashtim të incidenteve të ditëve të fundit, lidhur me të cilat ai ka kërkuar largimin nga detyra të tre shefave të komisariateve.

“Policia është angazhuar për të zbatuar misionin e saj, për të qëndruar sa më larg subjekteve politike nga njëra anë dhe nga ana tjetër garantimin e zgjedhjeve sa më të lira. Kam kërkuar shkarkimin e 3 shefave të komisariateve që nuk kanë qenë në lartësinë e detyrës dhe kemi pasur edhe disa persona që nuk kanë qenë konform në zbatimin e ligjit sa i përket të qenurit asnjëanës gjatë fushatës. Kam kërkuar që të largohet shefi i komisariatit të Pukës, për të cilin kam pasur denoncime të përditshme se mbështet një subjekt të caktuar elektoral. Për të njëjtat motive kam kërkuar edhe shkarkimin e shefave të komisariateve të Dibrës dhe Gramshit”, ka thënë Demiraj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA