Rama premton agjenci për pronat në Vorë: Më shumë legalizime

18/06/2017 00:00

Nga Vora, Edi Rama është ndalur gjatë te reforma në administratë, e cila sipas tij ka sjellë bllokimin e legalizimeve për banorët e kësaj zone.

“E dini ju që nga këto 144 mijë legalizime, sot janë 40 mijë familje që i kanë letrat në duar dhe nuk i regjistrojnë dot në Hipotekë? Kjo, sepse Hipotekën e ka një parti tjetër. Çfarë u kërkon partia këtyre 40 mijë njerëzve? Pse nuk ua nxjerr hipotekën? Sepse ka zgjedhje, do lekë, edhe ka lloj-lloj pazaresh. Bën kaq lekë, duhen kaq vota. Kë ke tjetër fqinj, merr edhe votat e komshiut e mi sill me fotografi. Tani, këtyre 40 mijë njerëzve unë u them votoni Partinë Socialiste dhe të 40 mijë lejet e legalizimit që keni kaq muaj e ndoshta edhe një vit që i mbani në duar, ne do t’iua bëjmë titull pronësie brenda këtij viti”, tha Edi Rama.

Rama premtoi edhe krijimin e një agjencie për pronat.

“Një agjenci të pronës së patundshme, ku do të jenë bashkë Komisioni i Kthimit të Pronave, Hipoteka dhe ALUIZNI. Tri departamente të ndryshme me një kokë dhe nuk do të ketë më histori ta jep njëri, po s’ta lëshon tjetri, ta mban peng i treti edhe njerëzit vijnë vërdallë, sepse janë peng i votës së tyre”, tha Rama.

Te legalizimet u ndal dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

“Alternativa e Republikës së re që në fakt është gjithçka tjetër përveçse e re jo, është dikush që kur qeveriste nuk bëri asnjë legalizim. Me Artan Lamen, me Sadi Vorpsin, respektivisht drejtor legalizimesh dhe Prefekt, kemi bërë legalizime më shumë se kurrë më parë. Kandidati tjetër është i vetmi kryetar bashkie në Republikë që ka qenë, i cili i dha leje për shtesë kati vetes së vet. Miq, në Tiranë nuk po i qas njeri, në Tiranë ata e kanë humbur davanë, nuk takojnë dot njeri, sepse njerëzit i provuan 4 vite dhe u thonë ikni gënjeni dikë tjetër”, tha kryebashkiaku Veliaj.

E në fund, kryeministri Rama iu drejtua edhe atyre, që sipas tij janë të shqetësuar.

“Unë nuk kam dalë në fushatë për luftë. Kam dalë për garë, por jo me të tjerët. Ne nuk kemi garë me të tjerët. Unë nuk e di çfarë kanë, a janë çmendur. Bërtasin e çirren, as nuk po i prek njeri dhe as po u thotë njeri një gjysmë fjale. Kanë shpërthyer të gjithë, po s’e di çfarë kanë. Pse i shqetëson kaq shumë thjesht dhe vetëm një gjë: duam të bëjmë shtet dhe administratë shtetërore, që të jetë e qytetarëve”, tha Rama.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta