Rama: Jo të gjithë politikanët janë njësoj

18/06/2017 00:00

Në një takim me të rinjtë e FRESSH-it në Tiranë, Edi Rama ka kundërshtuar idenë e krijuar se të gjithë politikanët janë njësoj.

“Është shumë e rëndësishme që ta thyejmë, kudo ku e ndeshim këtë mur parazitizmi, dembelizmi, indiference, që të gjithë janë njësoj. Jo, nuk janë të gjithë njësoj, prandaj Shqipëria sot nuk është njësoj me atë që ishte 44 muaj më parë”, tha Rama.

Kryeministri, për herë të parë artikuloi edhe pikën e krisjes mes PS-së dhe LSI-së.

“Sistemi ynë politik është i ngritur me vite të tëra mbi një marrëveshje të heshtur, por që ka dalë haptazi prej vitesh, mes politikanëve që zgjedhin gjykatësit dhe gjykatësit që mbyllin çështjet e politikanëve. Prandaj politikanët nuk kanë qenë kurrë të gatshëm t’i hyjnë Reformës në Drejtësi, sepse është si t’i hyjnë dhe të sharrojnë degën ku rrinë. Ne i hymë dhe e bëmë, e aty filloi krisja e koalicionit”, tha Rama.

Më herët, Edi Rama ishte në një takim në Vorë, ku nuk kurseu akuzat për hipotekat.

“Janë 40 000 familje që i kanë letrat në dorë dhe nuk i regjistrojnë dot në hipotekë sepse hipotekën e ka një parti tjetër. Çfarë i kërkon partia këtyre 40 000 njerëzve. Pse nuk ia bën hipotekën? Sepse do lekë. Këtyre 40 000 njerëzve u them që të votojnë Partinë Socialiste dhe ne këto leje legalizimi do ua bëjmë tituj pronësie brenda këtij viti”, tha Rama.

Tek legalizimet u ndal dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj: “Është i vetmi kryetar bashkie i cili i dha leje për shtesë kati vetes së vet”.

Më pas, kryesocialisti Edi Rama udhëtoi drejt Prrenjasit, ku u ndal tek miratimi i reformës në drejtësi: “Orët e prokurorëve dhe gjykatësve të korruptuar tanimë janë të numëruara. Ata do të përgjigjen një për një për të gjitha zullumet e tyre. Nëse nuk do t’ia dalin t’i shpëtojnë të pastër filtrit të vettingut, ata janë të parët që do të shkojnë përpara drejtësisë së re, duke i dhënë fund uzurpimit të Pallatit të Drejtësisë nga gjykatës të lidhur me politikanët”.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta