
Një resort turistik në Mali, i frekuentuar shumë nga perëndimorët, është sulmuar nga persona të armatosur. Autoritetet kanë deklaruar se dyshohet se xhihadistët qëndrojnë pas këtij sulmi.
Banorët lokalë raportojnë se kanë dëgjuar të shtëna me armë zjarri në destinacionin luksoz, “Le Campement” në Dougourakoro, në lindje të kryeqytetit të Malit, Bamako.
Trupat maleze dhe ushtarë nga forca franceze anti-terrorizëm kanë shkuar në vendngjarje. Nuk ka pasur ndërkohë informacione të menjëhershme për të lënduar.
Misioni trajnues i Bashkimit Evropian në Mali, në një postim në twitter konfirmonte se ishte në dijeni të sulmit dhe se po mbështeste forcat maleze të sigurisë e po vlerësonte situatën.
Mali është përballur me një rebelim xhihadist prej vitesh me luftëtarët islamikë që qarkullojnë në veri dhe qendër të vendit. Në nëntor 2015, të paktën 20 vetë u vranë kur persona të armatosur morën peng vizitorë dhe staf në hotelin “Radisson Blu” në Bamako.
Krahu afrikano verior i Al Kaedës, Al Kaeda në Magrebin islamik, tha se qëndronte pas atij sulmi. Që nga sulmi në “Radisson Blu”, Mali ka qenë ndërkohë në gjendje emergjence, e shtyrë kjo edhe për gjashtë muaj në vijim në prill.
Gjendja e sigurisë në vend është përkeqësuar që nga 2013 kur forcat franceze dëbuan luftëtarët rebelë islamikë dhe tuareg nga pjesë të veriut të vendit. Trupat franceze dhe 10 mijë forca paqeruajtëse të kombeve të bashkuara, janë përpjekur prej kohësh të stabilizojnë ish-koloninë e Francës.
Top Channel