
Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama, deklaroi se kryeministri Edi Rama gënjeu në Vorë, kur tha se “janë 3 mijë familje që nuk kanë marrë dot hipotekat, duke thënë se kjo është çështje e tepsisë”.
“Më lejoni të bëj të ditur se hipotekën në Qarkun e Tiranës, në Durrës, Vlorë dhe Elbasan, e kanë në dorë pikërisht njerëzit e Rilindjes, të emëruar prej tij. Në këto kushte, unë i ftoj të 3000 familjet që të paraqiten nesër pranë Hipotekës së Tiranës për të marrë aktet e pronësisë, meqë tani e ka zotëria në fjalë të gjithë pjesën e tepsisë. Përgjegjësi i Zyrës së Pasurive të Paluajtshme të bëjë gati aktet e pronësisë dhe të vërtetojë atë që tha, se fajin e kishte LSI-ja”, tha Luan Rama.
Në lidhje me deklaratën tjetër të Edi Ramës, se LSI-ja kishte ndihmuar koalicionin vetëm me votat për reforma, nënkryetari i LSI-së tha: “Nuk kemi ndihmuar vetëm me vota për reformat. Ju kujtoj reformën në drejtësi. Ka të drejtë kur thotë se nuk e lejuam ta bënte siç e kishte konceptuar ai, që reforma të shërbente që edhe ky pushtet të bëhej aneks i Rilindjes. Ne nuk e lejuam këtë. Ka qenë rezistenca e LSI-së që reforma në drejtësi u miratua dhe konkretizua me votimin konsensual të 140 deputetëve në Parlament”.
Top Channel