“Hetim për hipotekat”; MD reagon pas replikave PS-LSI

18/06/2017 00:00

Kryeministri Rama tha se 3 mijë familje në Vorë nuk kanë marrë dot certifikatat e pronësisë. “Hipotekat janë bllokuar nga tepsia”, tha ai, por kjo deklaratë është kundërshtuar menjëherë nga nënkryetari i LSI-së Luan Rama, i cili tha se qytetarët mund të pajisen që nesër me dokumentet e nevojshme.

Por pas deklaratave në distancë ka reaguar edhe Ministri i Drejtësisë Gazmend Bardhi, i cili ka urdhëruar nisjen e një hetimi administrativ mbi pretendimet për bllokimin e paligjshëm të pajisjes me certifikata pronësie.

“Ministria e Drejtësisë siguron të gjithë banorët e Bashkisë Vorë, se nëse konstatohet shkelje nga punonjësit e Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, do të marren masa të menjëhershme disiplinore për secilin prej tyre. Gjithashtu, Ministria e Drejtësisë siguron qytetarët që kërkesat e tyre për pajisje me certifikatë pronësie do të trajtohen në përputhje me ligjin, brenda afateve të caktuar nga ligji .Ministri   Bardhi i bën   thirrje çdo subjekti politik të ndal përdorimin e çështjeve që përfshihen brenda fushës së veprimtarisë së Ministrisë së Drejtësisë, për qëllime politike apo elektorale. Çdo subjekt politik që ka informacion për pengime artificiale që i bëhen qytetarëve për qëllime politike apo shkaqe të paligjshme, të informojë menjëherë Ministrinë e Drejtësisë, duke garantuar veprimin tonë të menjëhershëm për respektimin e ligjit. Bardhi siguron se është i vendosur në zbatimin e ligjit dhe do të veprojë me tolerancë zero për çdo tentativë përdorim të paligjshëm që i bëhet veprimtarisë institucionale të Ministrisë së Drejtësisë, nga subjekte zgjedhore”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Drejtësisë.

Top Channel