Veliaj, fushatë në Elbasan: 71 mandate që të vijojmë ndryshimin

17/06/2017 00:00

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, njëherësh anëtar i kryesisë së PS, Erion Veliaj ishte i pranishëm në takimet elektorale në qytetin e Cërrikut dhe Elbasanit, ku kërkoi votën për kandidatët socialistë në këtë qark.

Ai theksoi nevojën që shqiptarët t’i japin besimin Edi Ramës për të vijuar reformat që do ta çojnë Shqipërinë drejt Bashkimit Europian, por edhe për të mbështetur pushtetin lokal.

“Ka vetëm një nder që ne duam për të gjithë këto punë që po bëjmë, vetëm një sakrificë të vogël e cila merr vetëm dy minuta, një votë për PS dhe Edi Ramën kryeministër! Një votë për numrin dy, për pjesën e dytë të ndeshjes sonë për transformimin e Shqipërisë. Nëse do të na bëni këtë nder, do të na bëni me krahë, do të kemi një derë hapur, do të kemi deputetë që kanë shumicën në Parlament, që mund të aprovojnë buxhetet tona, shpronësimet tona dhe investimet tona. Do të kemi një telefon të Edi Ramës, të gjithë qeverisë, që është gati për çdo nevojë që ka Tirana, Elbasani e gjithë qytetet”, tha Veliaj.

Veliaj tha se Lulzim Basha pati një përvojë të dështuar si kryetar bashkie në Tiranë. Ndërkohë që mbështetja e fuqishme për PS në qyetet e mëdha do të mundësojë, sipas tij, 71 mandate.

“Këtu ka vetëm një parti, PS që bën diferencën. Dhe këtu ka vetëm një kryeministër, Edi Rama, i suksesshëm si kryetar bashkie, i suksesshëm sot si kryeministër. Pse kur ne na provohet në 27 vjet që ata janë një ekip humbësish, vetëm humbasin dhe vetëm shkatërrojnë, pse do të bëhemi ekip humbësish kur ne kemi një ekip fituesish? Ne sot kemi një shans historik dhe unë i them sot të gjithë njerëzve, nëse ka një akt patriotik që duhet bërë sot, është kjo fushatë”, tha Veliaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA