Gjyqi për edukatoren; akuzohet për dhunë ndaj fëmijëve

17/06/2017 00:00

Çështjet e dhunës fizike dhe psikologjike ndaj fëmijëve të kopshtit privat “Diren” vazhdojnë ende në Gjykatën e Tiranës.

Pas dënimit me dy vite burgim të ish-administratores së këtij kopshti, Anjeza Shabani, aktualisht është në proces gjykimi një tjetër edukatore e këtij institucioni.

Elona Turdiu akuzohet për keqtrajtimin e të miturve. Por ndryshe nga administratorja, që e pranoi akuzën dhe procedoi me gjykim të shkurtuar, Turdiu ka preferuar të bëjë një proces normal gjykimi duke kërkuar dëshmitarë, midis të cilëve edhe vetë ish-administratoren e kopshtit, Anjeza Shabanin.

Sipas Prokurorisë, Turdiu ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj fëmijëve të kopshtit. Turdiu është denoncuar nga prindërit e fëmijëve, të cilët e akuzojnë se ka ushtruar dhunë ndaj fëmijëve, të cilët kane shfaqur shenja të dhunës fizike dhe psikologjike.

Por këto akuza nuk janë pranuar nga e pandehura, e cila nëpërmjet gjykimit pretendon pafajësinë.

Top Channel