
Mijëra trupa të NATO-s nisën më 29 maj në Rumani stërvitjen “Noble Jump 2017”, qëllimi i së cilës është rritja e kapacitetit të reagimit të aleancës atlantiko-veriore në Rumani dhe Bullgari, e që do të përfundojë më 22 qershor.
Në stërvitje marrin pjesë 4.000 ushtarë nga 11 vende anëtare. Gjysma e tyre ishin rumunë, ndërsa pjesa tjetër vinin nga Shqipëria, Gjermania, Britania e Madhe, Norvegjia, Holanda, Polonia dhe Spanja.
Pajisjet teknike u transportuan në tri rrugë: detare, hekurudhore dhe tokësore, përmes një autokolone që e nisi lëvizjen nga Greqia.
E konceptuar të testojë elementët e planit të gatishmërisë së ndërhyrjes, nisma e vendos në binare “task forcën” e përbashkët të ndërhyrjes së shpejtë, duke e zhvendosur në zonën e caktuar operacionale.
Ideja është të shihet sesa të afta janë vendet e aleancës për të aktivizuar forcën e reagimit të menjëhershëm në njërin prej shteteve anëtare të saj, brenda një periudhe kohe sa më të shkurtër.
“Kjo stërvitje përbën një sfide logjistike, e cila teston aftësinë e të gjithë pjesëmarrësve për të dërguar në rajon një forcë të përbashkët luftarake. Duke e bërë këtë, NATO e provoi vendosmërinë tonë dhe bashkëpunimin për të siguruar mbrojtjen kolektive të vendeve anëtare”, tha admiralja Michelle Howard, komandante e forcës së SHBA-ve.
Me këtë manovër, aleatët e NATO-s kanë dëshmuar – sipas “Reuters”, – se aleanca është në gjendje të ofrojë një përgjigje të shpejtë dhe të fortë në terren, ndaj çdo situate kërcënuese për të.
Top Channel