
Gjin Gjoni do të jetë relatori i padisë së LSI për Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve. Përmes një shorti u përzgjodh trupa gjykuese që do të shqyrtojë ankimin e LSI-së.
“Trupa gjykuese për këtë cështje përbëhet nga Lindita Sinanaj, Gjin Gjoni, Tomorr Skreli, Shkëlqim Mustafa dhe Sotiraq Lubonja”, bëri të ditur relatori Gjin Gjoni.
Seanca për këtë çështje do të zhvillohet vetëm 5 ditë përpara datës së zgjedhjeve, mesditën e datës 20 qershor. Në sallë ishin të pranishëm vetëm përfaqësuesit ligjor të LSI dhe PDIU si palë e interesuar. KQZ vendosi një ditë më parë, sërish me short, që numëruesin e tretë të grupeve vendore të numërimit ta ndajë mes PDIU dhe LSI, konkretisht KZAZ me numër tek të kenë numërues të LSI dhe KZAZ me numër çift të kenë numërues të PDIU-së, vendim që u kundërshtua menjëherë nga përfaqësuesi I LSI-së në KQZ, Gëzim Veleshnja që votoi kundër.
Për Lëvizjen Socialiste për Integrim, vendimi i KQZ është i njëanshëm dhe cënon interesin e tyre. LSI argumenton se në zgjedhjet e fundit subjekti PDIU ka qenë në koalicion me PD dhe ajo duhet të bëjë short me PR-në dhe jo me LSI-në, që në zgjedhje e kishte kundërshtare. Në argumentimin e LSI-së thuhet gjithashtu se në këto zgjedhje nuk ka koalicione, ndaj LSI-ja duhet të ketë të gjithë numëruesit e tretë në grupet e numërimit.
Top Channel