Top Story, Rilindja Urbane dhe infrastruktura

14/06/2017 00:00

Mes reformave dhe projekteve të ndërmarrë në këtë mandat, Partia Socialiste konsideron “Rilindjen Urbane” si një ndër më madhorët dhe më të suksesshmit të saj.

Në total, projektet për qendrat e sheshet e qyteteve në mbarë vendin kanë kushtuar rreth 440 milionë euro në katër vite.

Ajo që konsiderohet si një ndër sukseset më të mëdha nga socialistët, kritikohet nga opozita, që i konsideron shpenzime të gabuara për “buzëkuq dhe make up”.

E për të diskutuar për Rilindjen Urbane dhe infrastrukturën, në Top Story me Sokol Ballën këtë të mërkurë ishin të ftuar Niko Peleshi dhe Eglantina Gjermani nga Partia Socialiste dhe Florion Mima dhe Ervin Minarolli nga Partia Demokratike.

I pari që mori fjalën ishte Niko Peleshi. Ai foli për Fondin e Zhvillimit të Rajoneve.

“FZHR nuk zë fill nga qeverisja jonë, është i trashëguar, por më parë nuk flitej për të. Në të kaluarën ky fond u copëzua në pjesë të padukshme. Ne me këtë fond i thamë shpirt investimeve tona. Sot çdo qytet dhe qytezë ka një qendër, një shesh dhe një forcë estetike që reflekton sot nevojën për një jetë qytetare dhe komunitare të re”, tha ai.

Ish-zv.Kryeministri tha se këto investime, përveç sistemimit dhe anës estetike gjallërojnë edhe ekonominë, duke tërhequr investime dhe hapjen e bizneseve të reja e rrjedhimisht edhe të vendeve të reja të punës.

Florion Mima nga Partia Demokratike kundërshtoi.

“Sot kemi gjysmën e qytetarëve që jetojnë me më pak se 45 lekë në ditë dhe Niko Peleshi flet për estetikën urbane”, tha ai.

Eglantina Gjermani, si ministre e Zhvillimit Urban tha se vetë dikasteri që ajo drejton u krijua si nevojë për të vendosur kontrollin mbi territorin. Pyetjes nëse ja ka arritur qëllimit, Gjermeni iu përgjigj me “po”.

“Sot e kemi territorin nën kontroll dhe MZHU u krijua për të funksionuar në një mënyrë tjetër, për të kontrolluar territorin dhe legalizuar ndërtimet informale”, tha ajo.

Gjermeni tha se ka patur tipologji të ndryshme projektesh në varësi të qyteteve ku janë aplikuar.

“Ka patur një tipologji të ndryshme projektesh me investime që kanë nisur nga qendra e qyteteve dhe kanë vazhduar nëpër lagjet e qyteteve, si në Bashkinë e Elbasanit për shembull. Këto projekte për zhvillimin e komuniteteve për të siguruar punë, mirëqënie do të shtrihen në mandatin tjetër edhe në zonat rurale”, tha ajo.

Ervin Minarolli kritikoi planin kombëtar.

“Sidomos në transportin rrugor ka shumë lapsuse. Plani flet për autostradën blu dhe autostradën adriatiko-joniane, që kanë të njëjtën pikënisje, kalojnë në të njëjtat qytete dhe kanë të njëjtën pikëmbylljeje. Sa për Fondin e Zhvillimit Rural, nga 2005 deri në 2012, ky fond ka ndërtuar rreth 6 mijë kilometra rrugë dhe një sasi tjetër parashë për ujësjellës-kanalizimeve”, tha ai, duke akuzuar se mazhoranca aktuale ka lënë rreth 15 projekte infrastrukturore përgjysmë në katër vite.

“Ne nuk kemi lënë rrugët rrugëve, por kemi lënë kantiere pune. Rilindja i la rrugët rrugëve”, vazhdoi ai.

Niko Peleshi tha se sot janë 31 plane vendore zhvillimi dhe vendi ka një plan kombëtar zhvillimit, ndërsa Eglantina Gjermeni shtoi se plani kombëtar është një plan afatgjatë për zhvillimin e vendit deri më 2030.

Top Channel