
Pas një karriere 24-vjeçare në radhët e gjyqësorit, Majlinda Andrea është e para gjyqtare e gjykatës së Lartë që shpallet fajtore për çështje korrupsioni.
Pesë ish kolegët e saj e dënuan gjyqtaren e pezulluar nga detyra me katër vjet burgim aq sa kërkoi gjatë pretencës edhe prokurori.
Por Majlinda Andrea nuk do të shkojë në burg, pasi siç u shpreh kolegji penal asaj i pezullohet burgimi dhe për tre vjet 48-vjeçarja do t’i nënshtrohet shërbimit të provës. Majlinda Andreas gjithashtu i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për pesë vitet e ardhshme. Avokati i saj Theodhori Sollaku gjithsesi u shpreh se do t’i drejtohen gjykatës Kushtetuese.
“Kam parasysh që i gjithë procesi u bazua në interpretimet e njëanshme të prokurorit, ato mori për bazë gjykata. Ndërkohë përsa i përket intepretimeve që i pandehuri dhe mbrojtja dha ato nuk i analizoi dhe nuk i mori në konsideratë. Ne mendojmë që është një çështje, precedent i rrezikshëm sepse të kujton kohën e dikurshme të agjitacion propagandës që flasim në telefon dhe kjo është provë për të dënuar ata”, tha avokati Theodhori Sollaku.
Bashkëshorti i saj Odhisea Andrea, ish këshilltar në komisionin e sigurisë kombëtare u dënua me 1 vit e gjysëm burgim si dhe pesë vjet heqje e të drejtës për të ushtruar funksione.
Petraq Dashi dhe Ilia Cabiri u shpallën fajtor me 1 vit e gjashtë muaj burgim, ndërsa Eleni Linos dënimi me një vit heqje lirie iu konvertua në dy vjet shërbim prove. Afera korruptive prej 50 mijë eurosh u zbulua gjatë përgjimeve telefonike, ku Cabiri, Dashi dhe Eleni diskutonin për shumën që do t’i dorëzohej bashkëshortit të gjyqtares në shkëmbim të një vendimi civil për pronësinë e një trualli në Butrint.
Top Channel