
Lëvizja Socialiste për Integrim ankimoi në Kolegjin Zgjedhor vendimin e KQZ-së të dy ditëve më parë, që vendosi të ndajë mes kësaj partie dhe PDIU-së numëruesin e tretë të grupeve vendore të numerimit.
Vendimi i KQZ-së, i cili ishte gjashtë me një, çoi në hedhjen e shortit të mërkurën paradite, që u kundërshtua nga përfaqësuesit e LSI-së në KQZ, i cili votoi kundër.
Shorti përcaktoi që KZAZ-të me numër tek të kenë numërues të LSI-së dhe ata me numër çift të kenë numërues të PDIU-se.
Por pavarësisht këtij shorti, ky subjekt politik do të ankimojë vendimin. Grupet e Numërimit përbëhen nga katër anëtarë. Numëruesi i parë i takon PS-së, si partia më e madhe e mazhorancës, numëruesi i dytë PD-së, si partia më e madhe e opozitës, numëruesi i tretë duhet të ndahet midis dy partive që vijnë në renditje, pas partisë më të madhe të koalicionit qeverisës, ndërsa i katërti që i takoi PR-së, midis dy partive të opozitës që vijnë pas PD-së.
Por, LSI argumenton se në zgjedhjet e fundit subjekti PDIU ka qenë në koalicion me PD dhe ajo duhet të bëjë short me PR-në dhe jo me LSI-në, që në zgjedhje e kishte kundërshtare.
Në argumentimin e LSI-së thuhet gjithashtu se në këto zgjedhje nuk ka koalicione, ndaj LSI-ja duhet të ketë të gjithë numëruesit e tretë në grupet e numërimit.
Gjykata hedh shortin të enjten për këtë çështje.
Top Channel