Vrasësin e Cukut e zbuluan veshjet

13/06/2017 00:00

Shteti i ofroi avokat falas të dyshuarit si vrasës me pagesë, Mikel Shallari, sepse  siç u shpreh 24-vjeçari ai ishte i papunë dhe nuk mundej të siguronte një mbrojtës.

Gjatë masës së sigurisë, në të cilën i dyshuari për vrasjen e ish-zyrtarit të policisë, Artan Cuku u la nën arrest me burg, prokurori i tha gjykatës se ka prova që vërtetojnë autorësinë e tij.

Prokurori shpjegoi se vrasësi i Artan Cukut shfaqet me duar në xhepa në një nga kamerat e sigurisë. Ai hoqi rrobat dhe i flaku në një kosh plehrash dhe pikërisht në këtë veshje u zbuluan elemente përmes të cilëve u ndërtua profili gjenetik i autorit, shtoi prokurori.

Më tej, këto të dhëna u janë përcjellë partnerëve ndërkombëtarë, ku edhe është marrë një përgjigjje nga Zvicra se ky profil gjenetik, përputhej me Mikel Shallarin, një ish i dënuar për drogë në këtë shtet.

Prokurori tha se ndaj Shallarit rëndon akuza e vrasjes me paramendim për hakmarrje apo gjakmarrje e kryer në bashkëpunim. Dyshohet se ngjarja ka ndodhur për gjakmarrje,  tha prokurori, por sipas tij është hetuar edhe në pista të tjera, sikurse fakti që Artan Cuku administronte një kompani të policisë private, por edhe deyrat e mëparshme të tij si drejtor policie.

Grupi i hetimit dyshon se Shallari është porositur nga të tjerë për të vrarë Artan Cukun, por gjatë këtyre ditëve në qeli ai ka zgjedhur të mos tregojë se kush fshihet pas tij.

Gjykata e pyeti Shallarin nëse kishte për të thënë diçka , por ai ju përgjigj shkurt: “Do të flas në një moment tjetër”.

Megjithë heshtjen e tij,  grupi i hetimit po kryen veprime qoftë ndaj të afërmve të Agim Dakës, i vetëvrarë në zyrën e Cukut, por edhe ndaj disa personave në jug të vendit, ku Artan Cuku ka qenë zyrtar policie.

Top Channel