Veliaj: Puna e bashkisë merr notën më 25 qershor

13/06/2017 00:00

Puna e bashkisë do e marrë notën më 25 qershor është shprehur kreu i Tiranës, Erion Veliaj teksa inspektoi përfundimet e Bulevardit të ri që hapet më 20 qershor.

“Ftoj të gjithë qytetarët që në datën 20 qershor, ora 20:00, të jemi te Bulevardi i Ri për të bërë një hapje, njësoj siç festuam për Sheshin “Skënderbej”. Ky ka qenë një vit fantastik për Tiranën dhe besoj se qytetarët me atë që kanë parë te sheshi “Skënderbej”, Parku Olimpik, lodrat e Liqenit, Unaza e Vogël, e të gjitha investimet e tjera, si Pazari i Ri, janë të mendimit se ky ka qenë një vit i shkëlqyer për qytetin. I kemi të gjitha mundësitë që të vazhdojmë kështu edhe në dy vitet e ardhshme”, tha ai.

Kryebashkiaku i Tiranës theksoi se Bulevardi i Ri, i cili përpara dy vitesh dukej i pamundur për t’u ndërtuar, është sot një nga projektet më fantastike të realizuara nga bashkia. Ai deklaroi se të tilla investime jo vetëm rrisin vlerën e pronës së qytetarëve, por njëkohësisht krijojnë dhe hapësira rekreative për qytetarët.

Projekti i Bulevardit Verior dhe Parkut Qendror të Tiranës do e transformojnë të gjithë këtë zonë prej gjendjes së saj aktuale, si një hapësirë e lënë në harresë, në arterien kryesore të zhvillimit të qytetit për vitet në vijim. Një përbërës i rëndësishëm është edhe ndërtimi i parkimit nëntokësor, ku për herë të parë do të ketë pikë të karikimit të makinave elektronike. Gjithashtu, projekti i gjelbërimit të Bulevardit të Ri parashikon mbjelljen e 1100 pemëve me 18 lloje të ndryshme, të cilat çelin në stinë të ndryshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA