
Bashkimi Europian propozoi rregulla të reja që do t’i jepnin bllokut, fuqinë që të detyronte një pjesë të madhe të shërbimeve financiare në Londër të largoheshin nga ky qytet, pas “Brexit”-it.
Pavarësisht se vet nuk e përdor Euron, Mbretëria e Bashkuar është ndërmjetësi kryesor për blerësit dhe shitësit e produkteve financiare që vlerësohen me euro, por edhe me valuta të tjera, transaksione që luajnë një rol jetësor në ekononinë e Europës.
Ky proces, ku Londra është qendra, njihet si “Euro Clearing” dhe është një biznes kolosal, ku vetëm euro lëvizin më shumë se një trilion në ditë.
Qendrat rivale financiare si Frankfurti dhe Parisi e dëshirojnë këtë aktivitet fitimprurës prej dekadash, por nuk kanë qenë në gjendje deri tani që t’ia marrin Londrës. Kjo e fundit, si pasojë e propozimeve të reja europiane, që duan ta heqin këtë biznes nga Londra, rrezikon të humbasë jo vetëm fitimet e majme, por edhe mbi 83 mijë vende pune në këtë sektor.
Propozimi i Komisionit Europian thotë se, do të ishte e rrezikshme për sistemin financiar europian, nëse kompaninë që bëjnë “Clearing”-un e valutës janë jashtë BE-së. Në fakt, prej kohësh Banka Qendrore Europiane thotë se këto veprime duhen bërë brenda grupit të 19 vendeve që përdorin Euron, për të pasur më shumë kontroll, por përderisa Britania ishte pjesë e BE-së nuk e detyronte dot Londrën të hiqte dorë nga ky biznes.
“Brexit” duket se i ka paraqitur Europës mundësinë që t’ia marrë këtë treg Britanisë. Zëvendëspresidenti i KE-së, Valdis Dombrovskis tha se BE-ja duhet të përshtatet me faktin që qendra më e madhe financiare e unionit po ikën nga blloku. Sipas KE-së, edhe zhvendosja e detyrueshme e kompanive mund të përdoret, vetëm si një mjet i fundit, por zor se do të shkohet deri atje.
Mbretëria e Bashkuar po përpiqet fort të mbajë këtë biznes fitimprurës, kryesisht me argumentin e kaosit që do të pasonte transferimin, diçka që edhe bizneset e mëdha e mbështesin.
Top Channel