SHBA, kryeprokurori: Akuzat, gënjeshtra. S’jam takuar në fushatë me ambasadorin rus

13/06/2017 00:00

Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Jeff Sessions tha se akuzat se ai ka bashkëpunuar me rusët për të dëmtuar zgjedhjet e vitit 2016 janë gënjeshtra tronditëse dhe të turpshme.

Në dëshminë e tij para Komitetit të Inteligjencës së Senatit, Sessions mbrojti performancën e tij dhe tha se nuk do të lejojë askënd që të sulmojë nderin e tij. Sessions hodhi poshtë një prej spekulimeve më të shpeshta të kohëve të fundit, për arsyet pse u tërhoq nga hetimi për Rusinë.

“Refuzova hetimin, sepse rregullorja e Departamentit të Drejtësisë thotë qartësisht se nëpunësit e DASH nuk lejohet të marrin pjesë në hetimin e një fushate elektorale, ku kanë qenë të përfshirë”, deklaroi Sessions, i cili ishte këshilltar i fushatës së Trumpit.

Prokurori i Përgjithshëm, i pyetur nga anëtarët e Komitetit, sqaroi se ishte takuar dy herë me ambasadorin rus, Sergei Kysliak, kur shërbente si senator, por kurrë ndërsa punonte për fushatën e Trumpit.

Ai këmbënguli në këtë pikë me forcë dhe tha se, çdo raport për një takim të tij me ambasadorin rus në këtë kuadër është i rremë. Sessions mbrojti kritikat e bëra në një memorandum të Departamentit të Drejtësisë për ish-drejtorin e FBI-së, James Comey, por nuk u shpreh nëse mendonte se shkarkimi i tij ishte i drejtë.

Sessions shprehu gjithashtu besimin për prokurorin special, Robert Mueller, që ka marrë drejtimin e hetimit, ndërsa përmes justifikimit të bisedave private shmangu mjaft pyetje për takimet me presidentin Trump dhe çfarë mund të jetë diskutuar gjatë tyre.

Top Channel