Monika Kryemadhi vijoi fushatën e LSI-së në Vlorë, ku zhvilloi një takim me gratë dhe vajzat.

Kryemadhi tha se gratë dhe rinia janë forca kryesore që shtyn LSI-në përpara dhe për këtë arsye kjo forcë politike do të luftojë për më shumë punësim për këto shtresa.

“Kjo është forca që do ia japë fitoren LSI-së. Ne premtuam uljen e taksave sepse e dimë shumë mirë që duke ulur taksat do të formalizojmë ekonominë. Duke formalizuar ekonominë, do të rrisim buxhetin. Duke rritur buxhetin, do të rrisim investimet”, tha Kryemadhi.

Prezantohen kandidatët e Beratit. Halimi: PD ka një program ekonomik

Fushatën e Partisë Demokratike në Berat, Eduard Halimi e vijoi në lagjet “Donika Kastrioti” dhe “Kodra e sulmit”, ku prezantoi kandidatët dhe foli për planin qeverisës të saj.

“Të bëhemi bashkë dhe t’i japim mundësinë Lulzim Bashës. T’i besojmë Lulzim Bashës për të gjithë ata që duan të bëjnë ndryshimin për veten e tyre, për fëmijët e tyre, në datën 25 të votojmë numrin 6”, tha Halimi.

Mediu në Prezë: Programi për ekonominë na nxjerr nga kriza

Fatmir Mediu e zhvilloi takimin e radhës për fushatën me banorët e Prezës, të cilëve u shprehu besimin se plani ekonomik i Partisë Demokratike është i vetmi që mund ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza.

“Programi ynë nuk është premtim, por një angazhim konkret i përcaktuar në kohë. E kemi bërë këtë me qeverinë Merkel, me specialistët më të mirë. Ne kemi vendosur që të investojmë 150 milionë dollarë në bujqësi çdo vit”, tha Mediu.
 
PDIU, takime në Tiranë

Shpëtim Idrizi u tha banorëve në njësinë numër 3 në Tiranë se PDIU do të mbështesë fort ekonominë, me qëllim rritjen e punësimit.

“Ekonomia e tregut, biznesi, njerëzit e respektuar të punës janë ata që do ta zhvillojnë këtë vend. Ne jemi në krahun e tyre për një sistem fiskal shumë më të drejtë. Për një sistem fiskal që stimulon ekonominë, por edhe për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik”, deklaroi Idrizi.

Libra: Gjykatë popullore

Ben Blushi vijoi fushatën në zonën e Babrrusë në kryeqytet. Kreu i Libra-s premtoi se do të propozojë që krimet e politikanëve të gjykohen nga populli.

“Do i japim mundësinë popullit që të bëjë gjyqe popullore. Duhet të jetë populli gjyqtari i politikanëve. Duhet të bëhen gjyqe popullore për ata që lënë në mjerim qytetarët”, u shpreh Blushi.

Top Channel