
Para banorëve të fshatit Hamil, në qytetin e Fierit, Lulzim Basha akuzoi sërish Edi Ramën për premtime të pambajtura.
“Para katër vitesh kur erdhën për të marrë votën, Edi Rama premtoi 300 mijë vende pune, premtoi shëndetësi falas, premtoi legalizime falas, premtoi mbështetje për bujqësinë, naftë pa akcizë, imputet bujqësore, uljen e taksave për 97% të shqiptarëve, rritjen e rrogave, premtime pa fund. Sot pas katër vitesh vjen dhe nuk flet më për premtimet. Tani vjen me premtime të tjera, por në fakt ajo që njerëzit gjykojnë është se çfarë bëri këto katër vjet”, deklaroi Basha.
Por, ndryshe nga Rama, Basha thotë se ka gati një plan të mirëstudiuar që ka si synim rritjen ekonomike, punësimin dhe mirëqënien e njerëzve.
“Unë nuk vij me premtime, unë vij këtu me një plan ekonomik që na është dashur dy vite ta hartojmë pasi kemi parë gjendjen në terren, pasi kemi parë problemet reale, mundësitë reale për të dalë nga kjo gjendje. Pasi e kemi konsultuar me ekspertët më të mirë të fushave të bujqësisë dhe blegtorisë dhe pasi kemi marrë vulat e ekspertëve më të mirë të ekonomisë në Gjermani, në Europë, që janë këshilltarët ekonomikë të kancelares gjermane. Qëllimi është rritja ekonomike, punësimi, mirqënia e njerëzve”, tha Basha.
Për kreun e demokratëve, shteti e ka mundësinë e realizimit të mirëqënies së popullit, por fakt është që kjo qeveri ka për synim të tjera gjëra.
“Paska ardhur Panariti këtu dhe thotë nuk kisha fonde. Gënjen! Shteti ka harxhuar këto katër vjet 16 miliardë euro. Vetëm për fishekzjarret në hapjen e sheshit Skënderbej janë hedhur qindra mijëra euro, midis 200 dhe 400 mijë euro. Ja pra, lekët i kanë, por lekët i bëjnë palma, lekët i bëjnë pllaka, lekët i bëjnë fishekzjarre, i bëjnë fasada, në vend që t’i sjellin dhe t’i bëjnë ndihmë për fermerët, t’i bëjnë investime për infrastrukturën, të hapin vende pune si në fshat ashtu edhe në qytet. Është e mundur, sigurisht është e mundur”, u shpreh Basha.
Top Channel