Hetimi për Rusinë, Kryeprokurori vendos të dëshmojë

13/06/2017 00:00

Reja ruse, siç Donald Trump e quajti vetë, duket se po rritet mbi presidentin amerikan dhe kërcënon të sjellë një tjetër javë të keqe për Shtëpinë e Bardhë, ndërsa një prej aleatëve të tij më të afërt, po përpiqet të shmangë një spektakël publik në kongres.

Lajmërimi i prokurorit të përgjithshëm Jeff Sessions, se do të dëshmojë para komitetit të senatit që heton çështjen e Rusisë, i zuri të gjithë në befasi, përfshirë komitetin e inteligjencës.

Tashmë vëmendja është përqëndruar tek Sessions dhe shfaqja e tij para kamerave siç bëri ish drejtori i FBI-së, James Comey javën e shkuar, që u ndoq nga 20 milionë amerikanë. Ekipi Trump është përpjekur maksimalisht që të largojë vëmendjen nga Rusia dhe lëvizja e Sessions nuk e bën aspak të lehtë këtë.

Ky i fundit, në një komunikatë për shtyp, tha se pas dëshmisë së Comey-t, i takon që të përgjigjet para forumit të duhur. Në dëshminë e tij, veç të tjerave, Comey tha se Jeff Sessions mund të ketë pasur një takim të tretë, të papublikuar, me ambasadorin rus në SHBA, Sergey Kislyak.

Sessions duhej të dilte të martën para komiteteve të senatit dhe dhomës së ulët, për buxhetin, por ai kërkoi të dalë para komitetit të inteligjencës. Fillimisht u spekulua se senaca do të ishte me dyert të mbyllura, por vetë komiteti i inteligjencës qartësoi çdo dyshim dhe tha se Sessions do të dëshmojë në një seancë publike.

Më herët demokratët thanë se me këtë lëvizje, kryeprokurori kërkon të shmangë një shqyrtim publik, por duket se do të ndodhë pikërisht kështu. Mbase nuk ka asnjë lidhje, por vendimi i Sessions për të dëshmuar, vjen ndërsa prokurori special i çështjes ruse, Robert Mueller po thellon tej mase hetimin.

Mësohet se Mueller ka punësuar në mënyrë të pavarur një grup prokurorësh veteranë në çështje kriminale dhe kjo mund të përkthehet në telashe serioze ligjore për Trump dhe ekipin e tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA