E para fushatë e qetë dhe pa gjuhë agresive

13/06/2017 00:00

Mjaft qytetarë shqiptarë e kanë vënë re, e nuk kishte sesi të mos binte edhe në syrin e korrespondentëve të mediave të huaja: zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit sjellin dhe të parën fushatë të qetë elektorale në Shqipëri pas 27 vitesh tranzicioni.

Në rrugët dhe sheshet e Tiranës, thotë DW, nuk ka asnjë portret kandidati për deputet, as logo të partive, as mitingje të zhurmshme takimesh me votuesit. Kjo është e para fushatë elektorale minimaliste, e qetë dhe larg pompozitetit, gjuhës agresive mes dy partive të mëdha në konkurim, PS dhe PD, që u japin tonin fushatave.

“Në gati tre dekada, regjimi demokratik dhe rrotacioni të pushtetit mes tyre, treguan që të dyja një konfliktualitet të egër dhe gjuhë urrejtjeje në ekstrem. Fushata e qetë e këtij viti, ndryshe reflektohet edhe tek elektorati. Mungojnë biseda të zjarrta përpara një filxhani kafeje mes votuesish me vokacion të kundërt politik, që dikur përfundonin me grushta, nxjerrje thikash, armësh dhe vrasje, vëren DW.

Duke cituar analistët vendas, media gjermane del në përfundimin se kjo situatë mund të jetë rrjedhojë e marrëveshjes së 18 majit, falë të cilës të dyja palët ranë dakort të bashkëpunojnë për reformën kushtetuese dhe atë zgjedhore, si edhe për të çuar përpara procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, pa u vënë shkopinj nën rrota njëra- tjetrës.

Sipas politologëve, fryma e ashpër antagoniste mes Ramës dhe Bashës është zëvendësuar tani më tepër me batuta apo deklarata, të cilat nuk i prekin diferencat ideologjike dhe programore të dy partive kryesore në Shqiperi.

Ata mendojnë se  të dyja forcat kryesore politike e kanë thyer tabunë e përkatësisë politike, ndaj dhe fushata po zhvillohet pa tension dhe larg gjuhës së akuzave të rënda.

Top Channel