
Në Shqipëri disa politikanë e kanë shprehur hapur fobinë e tyre ndaj personave me orientim të ndryshëm seksual, por tani që është fushatë, ata do të përballen me kosto.
Dhe nuk janë pak gay në Shqipëri. Vetë komuniteti i ylberit thotë se numëron 110 mijë persona LGBT, të cilët kërcënojnë se do të votojnë kundër “homofobët” më 25 qërshor. Dy organizatat kryesore në mbrojtje të këtij komuniteti, Pro LGBT dhe Aleanca LGBT kanë nisur një fushatë të tyre, nën nismën “Mendo politikisht”, ku qëllimi kryesor është inkurajimi i vetë komunitetit që të marrë pjesë në zgjedhjet e 2017.
Por, më pak se dy javë larg ditës së zgjedhjeve, pas një monitorimi që është bërë në media, nisma ka pikasur disa politikanë që ajo i cilëson si homofobë. Bëhet fjalë për 4 emra: Mesila Doda nga PDIU, Tritan Shehu nga PD, Eduard Ndocaj, kryetar i PBDKSH dhe Nard Ndoka, kryetar i PDK-së, që kësaj radhe kandidon me siglën e PD-së. Shoqëruar me fotografi dhe deklaratat e tyre televizive kundër komunitetit LGBT, nisma “Mendo politikisht” i kujton atyre se janë zgjedhur nga populli jo për të shpërndarë urrejtje e për të diskriminuar, por për të përfaqësuar denjësisht votuesit e tyre, mes tyre dhe personat LGBT.
Kryetari i Partisë Demokristiane Nard Ndoka, ish-ministër i Shëndetësisë, e konsideron ende homoseksualitetin si një sëmundje dhe deviancë, duke thënë se Parlamenti shqiptar “nuk është imun nga të tilla devianca”.
Eduard Ndocaj e ka krahasuar LGBTI-në me një targë makine. Mesila Doda pak javë më parë tha se moslejimi i martesave brenda të njëjtës gjini ishte një nga kauzat kryesore të PDIU-së përgjatë 4 viteve, ndërsa për Tritan Shehun, bashkëjetesa mes personave të të njëjtës gjini shkatërron të ardhmen e fëmijëve, familjes dhe traditës shqiptare.
Ndoshta kjo është thirrja e komunitetit LGBT për të ndëshkuar me votë këta politikanë, si një mundësi më shumë për të qënë më të lirë e për të patur më shumë mundësi në të ardhmen.
Gjithsesi, edhe kjo deklaratë e ka një kleçkë. Në Shqipëri nuk votohet për individë, por për partitë. Si e tillë, ky qëndrim i LGBTI lë të kuptojë se ku do të shkojnë votat e tyre. Pro dy partive të majta: PS dhe LSI.
Top Channel