Saif al-Islam Gaddafi, djali i dytë i ish-udhëheqësit të përmbysur libian, Muammar Gaddafi, është lënë i lirë pas një amnistie që i jep fund 6 viteve të kaluara prej tij prapa hekurave, e që mund ta ushqejë edhe më shumë paqëndrueshmërinë në vend.
Pasardhësi i preferuar i Gaddafit mbahej në qytetin e Zintanit, nën vëzhgimin e grupit paraushtarak Batalioni “Abu Bakr al-Siddiq”. Ai duket se është liruar të premten, por nuk është shfaqur në publik.
Sipas disa raporteve lokale, Saif është tani në qytetin lindor të Baydas me disa të afërm. Avokati i tij, Khaled al-Zaidi konfirmoi vetëm lirimin, por për arsye sigurie nuk e tregon se ku ndodhet aktualisht i biri i diktatorit.
Batalioni “Abu Bakr al-Siddiq” pretendon se, me lënien e 44-vjeçarit të lirë po vepronte në bazë të një kërkese të qeverisë së përkohshme libiane. Organizmi me seli në lindje të vendit ia ka ofruar me kohë amnistinë djalit të Gaddafit.
Saif, ndërkohë, është dënuar në mungesë me vdekje nga një gjykatë në Tripoli, në perëndimin e Libisë së kontrolluar nga qeveria e Pajtimit Kombëtar, e mbështetur nga Kombet e Bashkuara.
BBC kujton se disa njoftime të mëhershme për lirimin e tij kanë rezultuar të rreme. Saif kërkohet nga Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve të Luftës me seli në Hagë, për krime kundër njerëzimit të kryera gjatë përpjekjeve të pasuksesshme të të atit për të shtypur rebelimin në Libi.
Top Channel