
Nga Kavaja, me kandidatin e demokratëve për bashkinë e qytetit Isa Sakja, Fatmir Mediu ka prezantuar para qytetarëve prioritetet e Republikës së Re.
“Me anë të taksave të ulëta ne do të ndihmojmë individin, biznesin dhe do të krijojmë kështu një ekonomi të fortë e të qëndrueshme për Kavajën dhe të gjithë Shqipërinë”, deklaroi Mediu.
Balla në Librazhd: Timonin Edi Ramës
Drejtuesi i PS për qarkun e Elbasanit kërkoi votën e qytetarëve më 25 qershor për t’ia besuar timonin e reformave Edi Ramës dhe PS.
“Ne, për fat të mirë nuk kemi parti të vogla në Librazhd, sepse e dimë fare mirë që partitë e vogla janë për tepsinë e byrekut, jo për t’i shërbyer Librazhdit. Prandaj, më 25 qershor është shumë e rëndësishme që ne t’ia besojmë Edi Ramës timonin, por vetëm ama pa qenë e nevojshme të mbajë në prehër parti që nuk mbajnë përgjegjësi”, tha Balla.
Idrizi në Korçë: Emigrantët të votojnë
Në Korçë, kreu i PDIU Shpëtim Idrizi e zhvendosi vëmëndjen tek emigrantët, duke propozuar ngritjen e një ministrie për të zgjidhur problemet e tyre.
“35% e emigrantëve sot janë të pakënaqur sepse nuk kanë institucione të forta që të mendojnë për ta. Ata kanë shumë shqetësime, duke nisur që nga përfaqësitë tona diplomatike. Kjo është arsyeja për të cilën ne kemi propozuar ngritjen e një ministrie për emigracionin”, tha Balla.
Noka në Kukës: Vota për PD. Basha kryeministër
Gjatë një takimi me banorë të fshatrave Shtiqen, Bicaj dhe Ujmisht të Kukësit, Flamur Noka akuzoi kryeministrin Rama si shkaktarin kryesor të varfërisë në vend.
“Se ai është fajtor për varfërinë dhe skamjen ku ju jeni sot. Dhe vjen pastaj e na bën si i mirë se shtron iftar. Ndaj ne ju ftojmë të mos gënjeheni më dhe të votoni për PD”, tha Noka.
Halimi në Berat: Shtylla jonë, ekonomia
Eduard Halimi prezantoi përpara banorëve të fshatrave Çiflik dhe Duhanas projektin e Partisë Demokratike për Republikën e Re.
“Më datë 25 qershor është dita kur ju do të merrni një vendim të rëndësishëm, për të votuar PD dhe Lulzim Bashën si kryeministrin e ardhshëm. Dhe premtimet kryesore të PD janë tre shtyllat kryesore: ekonomia, ekonomia, ekonomia”, tha Halimi.
Tiranë, Blushi: Mbrojtje të varfërve
Ben Blushi vijoi fushatën e tij në kryeqytet, në njësinë numër 7, në një bashkëbisedim me qytetarë dhe biznese të vogla, duke premtuar mbrojtje për shtresat e mesme dhe të varfëra.
“Në radhë të parë ne duam një shoqëri më të drejtë që nuk të persekuton se je i vjetër. Të gjithë janë mërzitur me këta, nuk durohen më, as Saliu as Rama. E di sa kanë në pushtet? Të dy së bashku 40 vjet”, tha Blushi.
Top Channel