Veliaj fton banorët për festën e sheshit

09/06/2017 00:00

“Mezi pres që siç u hap Parku Olimpik, këndi i lojrave, Unaza e Vogël, Pazari i Ri, të kemi një festë fantastike nesër në orën 19.30, për hapjen e sheshit “Skënderbej”. Jam shumë entuziast sepse sheshi ka dalë fantastik, është tjetër eksperiencë kur e viziton herët në mëngjes, tjetër eksperiencë gjatë ditës, kur të gjithë shatërvanët freskues e mbushin me freski, tjetër eksperiencë në darkë me ndriçimin, tjetër eksperiencë mesi i sheshit, tjetër eksperiencë pjesa e pyllit, ku e gjithë zona rreth Muzeut Kombëtar, Hotel Tiranës është mbjellë me pafundësi pemësh”.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, deklaroi se në hapësirën poshtë digës nuk do të lejohet më të ndërtohen pallate.

“Një nga gjërat më të mira që bëri Plani i Përgjithshëm Vendor është që të gjithë hapësirën poshtë digës e shpalli park, do të thotë jo më pallate, por një hapësirë për Parkun Olimpik. Kur unë luftoja kundër pallateve te diga, gjithologët që japin mend për gjithçka, bënin sikur nuk e kishin mendjen. Qytetarët e merakosur për parkun, nën petkun e partive, bënin sikur s’e kishin mendjen. Sot, krejt papritur, janë duke parë qimen tek syri i atyre që bëjnë punë”, deklaroi kryebashkiaku.

Veliaj theksoi para banorëve të njësisë 5 projektin e madh për zgjerimin e Kopshtit Zoologjik: “Me planin e ri urbanistik do ta shtojmë Kopshtin Zoologjik ekzistues, ende më në jug, në drejtim të kodrës. Të gjithë atë e kemi shpallur zonë të mbrojtur, që e dyfishon parkun aktual. Do të kemi një lidhje me tunel me Kopshtin Botanik, që është gjithashtu në Njësinë 5, i cili është sot totalisht i papërdorshëm për komunitetin. Faza e parë është dyfishimi i kopshtit ekzistues. Faza e dytë lidhja me Kopshtin Botanik dhe faza e tretë  është rehabilitimi i gjithë Kopshtit Botanik”.

Top Channel