
Policia e Tiranës kallëzon në Prokurori administratorin e Njësisë Bashkiake numër 2, Elez Gjoza.
Sipas bluve të kryeqytetit, 58-vjeçari, nga viti 2013 e në vijim, ka regjistruar fiktivisht 70 persona me të njëjtin kod banimi me atë të banesës së tij.
Ky veprim, sipas policisë, është bërë me qëllim ndikimin në zgjedhjet e 25 qershorit.
Hetuesit dyshojnë se transferimi i të dhënave të gjendjes civile është bërë në këmbim të votës dhe premtimeve për vende pune. Por Gjoza thotë se dosja është mbyllur nga prokuroria ndaj, sipas tij, ky është një sulm politik.
“Kjo është për mua, në mënyrë absolute, me tendencë politike. Ky problem është ezauruar në 2013 nga Prokuroria. Në banesën time kanë ardhur të regjistruar me kontratë noteriale dhe të gjithë janë të larguar, jo 70 persona, mbase dhe më shumë. Të gjithë janë larguar nëpër shtëpitë e tyre me qira duke funksionuar sipas ligjit të gjendjes civile”, shprehet Elez Gjoza, administratori i Njësisë Bashkiake numër 2.
LSI reagoi ashpër ndaj këtij veprimi të policisë. Elez Gjoza doli së bashku me nënkryetarin e LSI, Luan Rama dhe akuzoi Policinë e Shtetit për manipulim.
“Dua t’i bëj një thirrje ish-ministrit të Brendshëm, ministrit që mbolli të gjithë Shqipërinë me hashash, t’i lërë presionet. Nuk më tremb dot”, tha Gjoza.
Edhe Luan Rama akuzoi Policinë e Shtetit dhe kërkoi ndërhyrjen e Prokurorisë. Këtë veprim, ai e quajti politik dhe që cenon goditjen e LSI-së.
“Nëse u hoqën 10 apo 12 drejtorë që ishin pengu i trustit të drogës, karteli i drogës vazhdon të ketë nën kontroll Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe po e përdor për të instrumentalizuar Policinë e Shtetit në rol politik për të goditur padrejtësisht kundërshtarët politik”, tha Luan Rama.
Top Channel