
Në listën e 2 mijë të dënuarve të cilët, sipas ligjit të dekriminalizimit përjashtohen nga e drejta për të votuar , janë shënuar në shkelje të Kushtetutës edhe 23 të paraburgosur, të cilët, sipas ligjit, kanë të drejtë vote.
Emrat e këtyre të fundit janë zbuluar gjatë një vëzhgimi të Komitetit Shqiptar të Helsinkit në burgun e Peqinit.
Sipas KSHH, të 23 shtetasit rezultojnë se nuk janë dënuar me vendim të formës së prerë e megjithatë, ata janë përjashtuar nga e drejta për të votuar.
Ky vendim thuhet në njoftimin zyrtar është shkelje e rëndë e kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor. Sipas KSHH, ligji parashikon heqjen e të drejtës për të votuar vetëm për të dënuarit e formës së prerë për 24 vepra penale.
Në njoftimin zyrtar, Komiteti shton se i është kërkuar informacion burgut të Peqinit, drejtuesit e të cilit shpjegojnë se nuk kanë patur ndonjë udhëzim dhe për këtë arsye, ata kanë përfshirë edhe të paraburgosurit.
Meqenëse listat përfundimtare janë shpallur, Komiteti Shqiptar i Helsinkit bën thirrje që këtyre shtetasve t’u krijohet mundësia për të votuar.
Duke hedhur dyshime se kjo gjë mund të ketë ndodhur edhe në burgje të tjera, Komiteti Shqiptar i Helsinkit i sugjeron edhe KQZ-së, të ushtrojë kontroll dhe të udhëzojë që personat e paraburgosur të përjashtuar nga lista e zgjedhësve të ushtrojnë të drejtën për të votuar.
Top Channel