
Qendrat e votimit janë hapur për zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme, të thirrura para 7 javësh nga kryeministrja Theresa May, ku 30 milionë britanikë me të drejtë vote do të zgjedhin qeverinë e re britanike, e cila do të kryesojë negociatat e vështira me BE-në për divorcin insitucional me Bashkimin Europian.
Shumë votues, një ndër 5 e kanë hedhur tashmë votën përmes votimit me postë, ndërkohë që deri më tani nuk ka njoftime për parregullsi apo situatë emergjence sigurie.
Zgjedhjet janë duke u zhvilluar nën masa të përforcuara sigurie, pas sulmeve terroriste të muajve të fundit.
Parlamenti britanik ka 650 vende, për të cilin 553 deputetë dalin nga Anglia, 59 nga Skocia, 40 nga Uellsi dhe 18 nga Irlanda e Veriut, vende që përbëjnë Mbretërinë e Bashkuar. Për të fituar shumicën kërkohen 326 mandate deputetësh.
Këto zgjedhje të parakohshme janë të veçanta në disa aspekte. Është e hera e parë që fushata për zgjedhjet e sotme të përgjithshme është ndërprerë, madje dy herë: tri ditë pas sulmeve terroriste në Manchester dhe një ditë pas atyre në Londër.
Po ashtu, është hera e parë që nga viti 1992, që në zgjedhjet e përgjithshme nuk votohet njëkohësisht edhe për zgjedhjet lokale, brenda të njëjtës ditë, gjë që e bën daljen e rezultatit më të shpejtë.
Rezultati pritet të mësohet në orët e para të së premtes. Sondazhet e opinionit publik flasin për ngushtim të hendekut mes dy partive kryesore, asaj Konservatoreve dhe asaj Laburiste, por sondazhet kanë zhgënjyer shumë në zgjedhjet apo referendumin e fundit për “Brexit”.
Top Channel