
Ushtria e Mianmarit tha se mbetje të avionit dhe trupa ishin gjetur pas zhdukjes së një avioni ushtarak me 122 persona në bord.
Pjesë të mjetit të zhdukur u zbuluan në detin Andaman. Avioni Y-8 i prodhuar në Kinë po transportonte 14 pjesëtarë të ekuipazhit e gjithashtu 106 anëtarë të ushtrisë me familjet e tyre, përfshirë fëmijë. Ai po fluturonte nga Myeik ne Yangon dhe mbetjet u gjetën në det, në ujrat pranë qytetit bregdetar të Dawei. Komunikimi me avionin u ndërpre gjysmë ore pas nisjes së fluturimit të shkurtër, ditën e mërkurë.
Sipas deklaratës së ushtrisë të publikuar në Facebook, grupet e kërkimit kishin gjetur trupat e një burri, gruaje dhe fëmije të enjten në mëngjes, bashkë me një rrotë, disa jelekë shpëtimi e bagazhe.
Trupi i avionit ende nuk është zbuluar. Kjo është një prej tragjedive më të rënda ajrore të shënuara në vend. Shkaku i aksidentit mbetet ende i paqartë. Siç thuhet, nuk pati ndonjë thirrje për ndihmë dhe natyra e shpërndarjes së mbetjeve të mjetit sugjeron se ai mund të jetë copëtuar në ajër.
Avioni u ble nga Kina në mars të vitit të kaluar dhe sipas ushtrisë ka realizuar 809 orë flururimi.
Top Channel