Gjykata e Tiranës vendosi mesditën e së mërkurës masën e sigurisë arrest me burg për Denida Rexhepin, edukatoren e kopshtit privat “4 Stinët”, e akuzuar për keqtrajtim të mituri.

30-vjeçarja Rexhepi u arrestua të hënën e kaluar, pasi prindërit e një fëmije të kopshtit e akuzuan se kishte ushtruar dhunë. Në seancën e zhvilluar me dyer të mbyllura, prokuroria paraqiti në gjykatë si prova kryesore dëshminë e prindërve, sipas të cilëve fëmija kishte shfaqur shenja trembjeje dhe kishte ndryshuar sjelle si pasojë e dhunës.

Gjithashtu, prokurori i çështjes deklaroi se nga pamjet filmike nga kamerat e sigurisë të kopshtit, në një moment duket edukatorja Rexhepi duke e kapur nga krahu dhe duke e goditur një prej fëmijëve.

Nga ana tjetër, vetë e pandehura dhe avokati i saj kanë mbajtur qëndrim mohues ndaj akuzës, duke deklaruar se nuk ka ushtruar dhunë ndaj të miturit, por kanë qenë gjeste thjesht për ta bindur fëmijën që t’i impononte rregull. Pavarësisht pretendimeve, gjyqtari Altin Shkurti vendosi të pranojë kërkesën e prokurorisë, duke caktuar masën e sigurisë arrest me burg ndaj edukatores Denida Rexhepi.

Top Channel