Britani, May: Kundër terrorizmit, ndryshojmë ligjet për të drejtat e njeriut

07/06/2017 00:00

Theresa May tha se do të ndryshojë ligjet për të drejtat e njeriut, nëse ato do të bëhen pengesë në përpjekjet kundër terroristëve të dyshuar.

Kryeministrja britanike tha se do të lehtësohen procedurat për deportimin e terroristëve të dyshuar dhe do të kufizojë lirinë e lëvizjes së atyre që përbëjnë kërcënim.

Çështja e sigurisë ka domunuar ditët e fundit të fushatës zgjedhore, në prag të votimit të së enjtes, pas sulmeve terroriste në Londër dhe Manchester.

Parti rivale kanë kritikuar konservatorët për shkurtimet e bëra në radhët e policisë. Menjëherë pas sulmit në Londër, May tha se durimit i kishte ardhur fundi dhe se gjërat duhet të ndryshonin në luftën kundër terrorizmit.

Gjithsesi, gjatë një fjalimi në Slough, mbrëmjen e së martës, ajo nuk përmendi ndonjë politikë të re.

“Nevojiten dënime më të gjata me burg për ata që shpallen fajtorë për akuza që kanë lidhje me terrorizmin. Autoritetet duhet ta kenë më të lehtë të deportojnë terroristët e dyshuar në vendet e tyre, e duhen bërë më shumë përpjekje për kufizimin e lirisë së lëvizjes së terroristëve të dyshuar, kur kemi prova se ata janë një kërcënim, por jo mjaftueshëm sa për t’i ndjekur penalisht. Nëse ligjet na pengojnë ta bëjmë këtë, atëherë ne do t’i ndryshojmë”, tha Theresa May.

Në një intervistë për tabloidin “The Sun”, kryeministrja tha gjithashtu se do të konsideronte zgjatjen e periudhës së ndalimit të të dyshuarve pa akuzë deri në 28 ditë.

Top Channel