Ambasadorja e BE-së, Romana Vlahutin deklaroi se Thethi do të jetë një nga katër zonat pjesë e programit të konkurrueshmërisë, që ka të bëjë me zhvillimin e turizmit vendor.

Vlahutin ishte në Theth për t’u konsoltuar me komunitetin e për të parë çfarë është më e domosdoshme për të investuar.

“Kisha dëgjuar se sa i bukur është Thethi, por doja që të shihja edhe vetë se cilat ishin problemet në këtë zonë dhe u bë shumë e qartë që prej fillimit, që problemi më kryesor që keni këtu është rruga dhe çfarëdo dëshire që mund të ekzistojë këtu për të pasur një plan të qëndrueshëm turizmi, është pak i vështirë pa rrugën. Kështu që, çështja e infrastrukturës do të jetë e para përsa i përket asaj liste që ne do ta diskutojmë dhe me partnerë të tjerë. Një tjetër pikë është menaxhimi i burimeve që ju i keni këtu, në mënyrë që menaxhimi i burimeve të bëhet me masë dhe që të sjellë përfitimet më të mira të mundshme për banorët e kësaj zone”, tha Vlahutin.

Ndërsa Petrit Arra, i njësisë administrative Shalë, tha: “Kemi nevojë për dikë që të ndihmojë në zhvillimin dhe përmirësimin e jetesës së banorëve të zonës së Shalës, ku bën pjesë edhe Thethi. Fondet i kemi të limituara dhe nuk arrijnë të mbulojnë të gjitha nevojat”.

Thethi është një nga zonat turistike malore më të bukura dhe më të frekuentuara në vend, kryesisht nga të huajt. Mungesa e investimeve serioze ndër vite dhe në veçanti rruga e amortizuar janë bërë pengesë për zhvillimin e turizmit.

Top Channel