
Edi Rama mohoi të kishte ndonjë plan për bashkëqeverisje me Partinë Demokratike pas zgjedhjeve apo të kishte ndonjë plan kundër Lëvizjes Socialiste për Integrim.
“Mos i dëgjoni përrallat e kutundit politik dhe mediatik për bashkëqeverisje të paravendosur me PD apo për komplot kundër LSI-së e partive të vogla. S’ka asnjë plan për bashkëqeverisje dhe për komplot”, tha Kryeministri.
Rama ju drejtua votuesve duke theksuar se askush nga kandidatët për Kryeministër nga partitë e vogla nuk mund të bëhet Kryeministër.
“Kë do të zgjidhni Kryeministër? Lulin? Petritin? Shpëtimin apo Benin? Askush nga këta as nuk bëhet dot kryeministër dhe as nuk e bën dot këtë detyrë as në ëndrrën e vetë më optimiste. Atëherë pse do të votoni për ta? Që me votën tuaj të ushqeni partinë e tyre, duke vazhduar avazin e vjetër të ndarjes së shtetit në copa”, tha Rama.
Kryeministri kërkoi që vota t’i jepet Partisë Socialiste në mënyrë që të vazhdojnë reformat, ndërsa tha se administrata nuk duhet të jetë një tepsi e ndarë mes partive.
“Më 25 qershor na duhet një mandat i plotë për ta mbajtur drejt timonin e reformave pa qenë të kushtëzuar në shpejtësi dhe thellësinë e reformimit të vendit apo të masave për të bërë shtet nga aleatë që nuk duan ta prekin themelin e kalbur të administratës shtetërore. Të gjitha partitë, përveç tonës, e kanë të lidhur jetesën me punësimet e klientelës partiake në shtet. Ne nuk jemi kundër koalicioneve, por unë nuk do të isha i sinqertë me të gjithë ju në qoftë se deri më 25 qershor nuk do t’ju paralajmëroja për rrezikun që të mos ja dalim dot ta bëjmë Shqipërinë me një administratë shtetërore që e meritoni të gjithë ju, nëse ju nuk na e besoni të gjithë përgjegjësinë e drejtimit të timonit të qeverisjes që askush mos na i japë nesër votat duke marrë si shpërblim punësime partiake në shtet”, u shpreh Rama në komunikimin javor.
Top Channel