Task Forca e zgjedhjeve, monitorimi nga 4 ministra teknikë dhe 3 të PS

02/06/2017 00:00

Qeveria ka miratuar ngritjen e një Task Force të posaçme për të monitoruar përdorimin e administratës gjatë fushatës elektorale.

Task Forca do të drejtohet nga zëvendëskryeminstrja Ledina Mandija dhe do të ketë në përbërje të saj ministra nga të dy partitë kryesore politike, përfshirë dhe funksionarë të lartë të shtetit dhe Drejtorin e Policisë së Shtetit.

Në vendimin e qeverisë përcaktohet se punonjësve të administratës u lejohet të marrin pjesë në fushatë elektorale vetëm jashtë orarit zyrtar të punes dhe larg mjediseve te institucionit.

Por edhe pse mund të marrin pjesë në fushatë, nëpunësve civilë nuk u lejohet të shprehin publikisht bindjet e tyre. Kjo do të thotë se ata janë të ndaluar të bëjnë fushatë për një kandidat, ose parti politike dhe po kështu janë të ndaluar të  manifestojnë  me pankarta, parrulla apo çdo mjet tjetër të shkruar dhe të ekspozuar publikisht.

Punonjësit e administratës kane të drejtë të angazhohen si komisioner zgjedhor, ne te gjitha pjeset e procesit pasi të ketë njoftuar paraprakisht me shkrim eprorin direkt dhe të ketë marrë lejen me shkrim prej tij.

Ndërkohë, punonjësit e Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, Ministrisë së Mbrotjes dhe Shërbimit Informativ Shtetëror u ndalohet pjesëmarrja në parti politike dhe angazhimet në veprimtari politike.

Pas mbledhjes së qeverisë zëvendëskryeministrja Mandia deklaroi se cdo punonjës që shkel këto rregulla do të përballet me masat ndëshkuese që parashikon kodi i ashpërsuar penal.

Ndërkohë, të premten ministrja e Punës, Xhuljeta Kërtusha  shkarkoi drejtoreshën e Zyrës së Punësimit në Tiranë, Marisa Kaçorri për shkak të angazhimit të saj në fushatë.

Ashtu si disa ministra e tjerë teknikë, edhe ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj ka nxjerrë urdhrin që pezullon lejet e administratës për dikasterin e brendshëm dhe Policisë së Shtetit  gjatë fushatës zgjedhore.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta