Saranda çel sezonin, pritet fluks turistësh

02/06/2017 00:00

Saranda ka çelur sezonin turistik gjatë një dite me ceremoni të shumta festive. Këtë vit mesazhi promocional ka në qendër Sarandën në 3D, Diell, Det dhe Dashuri.

“Memorje ‘78”, bunkeri i luftës së Ftohtë krah shëtitores së Sarandës është një tjetër atraksion turistik që i shtohet sezonit. Disa dhjetëra biznese turistike dhe restorante kanë ekspozuar në shëtitore ofertat kryesore të sezonit si dhe gatimet tipike të verës me prodhime deti dhe midhje.

“Kështu lindi idea që këtë bunker i cili kur u ndërtua u ndërtua me qëllim të mbronte Sarandën dhe të shihte nga limani kundër një armiku imagjinar, ne menduam ta kthejmë në një pikë ku të gjithë turistët kanë mundësi, ata që janë shqiptarë të njohin historinë e tyre, ata që janë të huaj të mund ta njohin historinë tonë të shkuar.Duke qënë se ne sot çelim zyrtarisht sezonin turistik 2017, ne menduam që kjo vepër arti tanimë, të merrte vlerë dhe të inaugurohej sot”, tha kryetarja e bashkisë Floriana Koka.

Saranda ka një kapacitet të përnatshëm akomodues prej rreth 25 mijë shtretër dhe ende dominohet prej turistëve njëditorë të orientuar drejt turizmit kulturor. Ata mbërrijnë për të vizituar Butrintin dhe Gjirokastrën ndërsa kthehen sërish në mbrëmje në Korfuz.

Saranda është frekuentuar vitin e kaluar nga rreth 700 mijë vizitorë nga më shumë se 100 vende të botës, ku një peshë të rëndësishme zinin turistët rusë dhe polakë. Këtë vit kompanitë turistike flasin për turistë suedezë dhe nga vende të tjera të Veriut të Europës që pritet të vizitojnë Sarandën deri në tetor. Deri tani rreth 90 anije cruiz kanë prenotuar prekje të portit të Sarandës. Këtë vit pritet që risi të jenë vizitorët amerikanë. Pritet që me përfundimin e Muajit të Ramazanit plazheve të Jugut ti shtohen edhe turistët kosovarë e maqedonas që në peshën e përgjithshme vjetore të turzmit përbëjnë rreth 35% të pushuesve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA