Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka humbur betejën ligjore kundër kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, të cilin e akuzon se ka shpifur ndaj tij.
Bëhet fjalë për një deklaratë të dhënë një vit më parë nga kryebashkiaku Veliaj, sipas të cilës, Presidenti i Republikës ka vjedhur pronën e një kishe katolike në Elbasan. Për këtë deklaratë, Nishani hapi procesin civil gjyqësor me objekt padie shkaktim dëmi në vlerën simbolike të 100 lekëve për dëmin moral dhe cënimin e nderit dhe personalitetit.
Gjithashtu, në padi kërkohej që Veliaj të përgënjeshtronte deklaratën e tij dhe të publikonte vendimin që do të jepej. Por, gjatë procesit, shuma simbolike u rrit me kërkesë të Presidentit nga 100 lekë në 1000 euro. Por, mesa duket, për një vit rresht argumentet e përfaqësuesve ligjorë të Presidentit në këtë proces nuk kanë mundur të bindin gjykatën që të pranojë kërkesë-padinë për shkaktim dëmi.
Paraditen e së premtes, gjyqtarja Arjana Lico vendosi të mos pranojë kërkesë-padinë e Presidentit të Republikës, duke vendosur rrëzimin e saj. Pritet që ky vendim të ankimohet nga Presidenti Bujar Nishani në Gjykatën e Apelit.
Top Channel