
Pasdite zyra e shtypit të Partisë Demokratike njoftoi mediat se ishte shkarkuar administratori i Postës Shqiptare, Majlind Lazimi për shkak të shkeljes së ligjit elektoral dhe presion ndaj punonjësve.
Menjëherë pasi lajmi u publikua në media, kreu i Postës reagoi në lidhje me këtë vendim dhe lajmëroi një konferencë për shtyp. Ai pretendon se shkarkimi është kryer në shkelje të ligjit.
“Ky urdhër nuk ka asnjë relacion shpjegues, as një relacion të bërë nga një Task Forcë, pra nuk ka një konkluzion të gjetjeve të një auditimi apo kontrolli, është thjesht një urdhër me 4 pika. Deri në këto momente nuk kam asnjë shkresë zyrtare për motivacionin e lirimit tim. Për më tepër, urdhri i ministres Ekonomi është i jashtëligjshëm, sepse nuk thuhet se çfarë pjese të rregullores apo të ligjit apo të VKM-së për fushatën kam shkelur unë”, tha Majlind Lazimi.
Majlind Lazimi që mban dhe detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm për Ekonominë në LSI pranon se ka marrë pjesë në aktivitet elektorale të kësaj partie, por jashtë orarit zyrtar. Arsyeja e dytë dhe më e fortë, sipas tij, për shkarkimin është ajo politike.
“Kam telefonuar ministren e Ekonomisë dhe ishte e pamundur të merrja një përgjigje për arsyen e largimit tim. Si edhe zëvendëskryeministren, e cila tha se unë nuk jam në dijeni të këtij vendimi. Zëvendëskryeministrja drejton edhe Task Forcën përkatëse. Madje, ajo më pyeti a ka një relacion, ka një shkresë, ka një verifikim nga Task Forca? LSI-në po e shohin si delen e zezë në të gjitha institucionet ku ajo me të drejtë ka patur përfaqësimin e saj”, shprehet Lazimi.
Ndërkohë, nga ministria e Ekonomisë nuk ka asnjë njoftim për shkarkimin e kreut të Postës.
Top Channel