Shtëpia e Bardhë, heshtje para dëshmisë së Comey

01/06/2017 00:00

Shtëpia e Bardhë njoftoi se nuk do t’i përgjigjet më pyetjeve për hetimin në zhvillim mbi lidhjet e pretenduara të Donald Trump me Rusinë.

Duket se ky hap merret në kuadër të dëshmisë së ish-drejtorit të FBI-së, James Comey, para një komiteti të Kongresit që do të bëhet javën e ardhshme.

I pyetur për provat e Comey dhe nëse presidenti është angazhuar në pengimin e drejtësisë, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer tha se ata janë të përqëndruar tek axhenda e presidentit dhe të gjitha pyetjet e tjera për këto çështje do t’i drejtohen avokatit Marc Kasowitz.

Ky i fundit është avokati i Trump dhe e ka përfaqësuar presidentin në të shkuarën në shumë çështje ligjore. Qëndrimi i ri i Shtëpisë së Bardhë për pyetjet mbi Rusinë u bë disa orë para se Senati të nxirrte urdhra ligjore paraqitjeje para Komitetit të Inteligjencës për Michael Flynn dhe avokatin tjetër të Trump, Michael Cohen.

Shumë prej konferencave për shtyp të Sean Spicer dominoheshin nga saga e Rusisë, diçka që zëdhënësi i Trump nuk e pëlqente fare. Analistët thonë se, tani që po zhvillohet një hetim penal, duket se askush nga Shtëpia e Bardhë nuk dëshiron të komentojë pa këshilla ligjore.

CNN raporton se ish-drejtori i FBI-së, Comey pritet të konfirmojë para Senatit se Trump i bëri presion që të hiqte dorë nga hetimi i ish-këshilltarit të Sigurisë, Michael Flynn, diçka që do të rëndojë tej mase pozicionin e presidentit. Mësohet se Comey ka diskutuar parametrat e dëshmisë së tij me prokurorin special, Robert Mueller, që tashmë drejton hetimin penal.

Top Channel