Putin: Boll me shpikje! Terrorizmi, problemi real, jo Rusia

01/06/2017 00:00

“Boll më me shpikjen e kërcënimeve imagjinare nga Rusia. Të shohësh sulme me bomba në Paris e në pjesë të tjera të Europës, të bëhesh dëshmitar i konflikteve në Lindjen e Mesme, e sërish të dëgjosh spekulime mbi rrezikun e Rusisë. Kjo është mjaft e çuditshme”, tha shefi i Kremlinit, Vladimir Putin, në një intervistë ekskluzive për francezen “Le Figaro”.

Putin, që vizitoi kryeqytetin francez e u takua me kreun e Elizesë, Emmanuel Macron, shprehu bindjen se Moska dhe të gjitha kryeqytetet perëndimore kërkojnë që të gjitha “sigurinë, paqen dhe bashkëpunimin”.

“Kjo është arsyeja e fortë, përse nuk duhet të krijojmë tensione, apo të trillojmë kërcënime nga Rusia, luftra hibride e gjëra të tilla. Cili është problemi më i madh i sigurisë sot? Terrorizmi! Ka sulme me bomba në Europë, në Paris, në Rusi, në Belgjikë. Ka një luftë në Lindjen e Mesme. Ky është shqetësimi kryesor. Por jo, ne vazhdojmë spekulimet mbi kërcënimin rus”, tha Putin.

Lufta kundër terrorizmit ndërkombëtar është, sipas Putinit, një prej pikave kryesore, në të cilat Moska dhe Perëndimi duhet të bashkëpunojnë mes tyre.

Ai i doli në mbrojtje presidentit sirian Bashar al-Assad, duke kujtuar se nuk ka prova që të tregojnë se kreu i regjimit të Damaskut ka përdorur armët kimike kundër popullit të vet.

Ndërkohë, preku edhe një tjetër çështje tejet të diskutuar: atë të marrëdhënies me Donald Trump. Pyetjes së gazetarit se, çfarë do të priste nga Amerika në një botë ideale për të përmirësuar marrëdhëniet mes Moskës dhe Uashingtonit, ai iu përgjigj se bota ideale nuk ekziston.

Por Putin sqaroi se e mirëkupton këmbënguljen e kreut të shtetit amerikan për shtimin e shpenzimeve të mbrojtjes nga anëtarët e NATO-s. “Trump kërkon ndarjen e barrës me aleatët, – shprehet Putin, – dhe kjo është një qasje mjaft pragmatike dhe e kuptueshme”.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta