Me dritën e shpirtit. Festa me ngjyra e fëmijëve që nuk shikojnë

01/06/2017 00:00

Maria dhe Artemisi pikturojnë që kur ishin gati 3 vjeç, e që prej një dekade bota e tyre e brendshme, me përplasjet dhe vështirësite që ata kanë, shprehet në kuadro.

Mungesa e shikimit nuk i ka penguar këta dy fëmijë, pjesë të Insitutit “Ramazan Kabashi”, të shprehin ndenjat e tyre  në pikturë, duke festuar në këtë formë 1 qershorin, njëlloj si fëmijët e tjerë.

“Tek kjo pikturë kam dashur të prezantoj veten time me anë të disa formave të ndryshme, abstrakte. Është një botë që mua më pelqen. Është imagjinata ime”, tregon Maria Bila.

“Kam dëshirë shumë të pikturoj, kam vite që merrem me pikturën. Këto janë gjethe. Vjeshta me pëlqen shumë”, thotë Artemis Hasandoçi.

“Jo vetëm piktura që është art shumë i bukur e që i ndihmon në gjendjen shpirtërore, në shprehjen e mendimeve që edhe e kanë shumë të vështirë t’i shprehin, por çdo lloj arti që ka të bëjë me kënaqësinë shpirtërore i ndihmon shumë për t’u aftësuar. Secili është shumë ndryshe nga tjetri dhe transmeton botën shpirtërore e deri diku aftësinë për të pikturuar”, deklaron Silvana Pershqefa, psikologe.

Edhe pse kuadrot e këtyre fëmijëve të veçante nuk mund të quhen piktura të mirëfillta, ata ia kanë dalë të vlerësohen me çmime, madje Maria edhe ka shitur disa prej punimeve të saj në një panair dedikuar fëmijëve me probleme me shikimin.

Ndaj duket se rrugën e jetës, ndonëse herët, këta dy fëmijë e kanë zgjedhur. E pyetur se çfarë do të bëjë me këto para, vajza e vogël përgjigjet: “Do blej bojëra për shokët”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA