
Eurozona 19-anëtarëshe ka parë inflacionin t’i ulet në nivelin më të ulët të tij përgjatë këtij viti, me shifrat e muajit maj që tregojnë një nivel prej 1.4%. Të dhënat i përkasin Agjencisë së Statistikave të bllokut europian, “Eurostat”.
Inflacioni i majit për unionin e monedhës së përbashkët ishte 0.1 pikë përqindjeje më pak nga sa pritej, e shumë më i ulët sesa 1.9 përqindëshi i shpallur muajin e kaluar.
Për vendet përdoruese të monedhës unike ka një faktor që mund t’ia shtojë disi entuziazmin. Ai është niveli i papunësisë në zonën e Euros, që mbërriti në muajin prill në pikën më të ulët të tij prej 8 vitesh: 9.3%.
Inflacionin e ulët, “Eurostat” ia faturon përkeqësimit të situatës së kostos së ushqimeve dhe energjisë. Presidenti i Bankes Qendrore Europiane, Mario Draghi kishte paralajmëruar në fillim të javës se mund të jetë ende shumë shpejt për t’u tërhequr nga programet lehtësuese, apo për të rritur normën e interesit.
Draghi beson se Eurozona duhet të qëndrojë brenda kornizave të politikave të saj tolerante monetare, në mënyrë që inflacioni të stabilizohet. Zona e Euros po pret të shohë nëse indeksi i saj i harmonizuar i çmimeve të konsumit për vitin 2017 ka mundur të dalë nga territori negativ.
Top Channel