
Një bandë adoleshentësh, përgjegjëse për një sërë grabitjesh në kryeqytet është shkatërruar nga policia.
Pasi u merrnin njerëzve paratë dhe aparatët celularë nën kërcënimin e pistoletave sportive, adoleshentët kishin gjetur një mënyrë shumë efikase për t’iu shmangur policisë.
Ata përdorinin biçikleta për t’u larguar me shpejtësi nga vendngjarjet, ndaj dhe operacioni policor për kapjen e tyre është koduar “Çiklistët”.
Adoleshentët, të moshave nga 15 deri në 17 vjeç, janë përgjegjës për të paktën 5 grabitje të ndodhura në Tiranë në periudhën dhjetor 2016-janar 2017.
Banda fillimisht studionte marketin, farmacinë apo dyqanin që do të godiste dhe më pas realizonte vjedhjet, duke përdorur për maskim kapuçë për biçikleta dhe doreza.
Në fakt, agjentët e policisë së Tiranës kishin rënë në gjurmët e grupit të adoleshentëve që gjatë kohës së realizimit të grabitjeve.
Por u deshën disa muaj kohë që të gjendeshin provat që i dhanë fund aventurës së tyre, që tashmë do t’i kushtojë privimin nga liria.
Top Channel