Kina, ndotësi më i madh i botës, dhe udhëheqësit e Bashkimit Europian e pranuan me një deklaratë të përbashkët marrëveshjen e klimës të arritur në Paris, duke theksuar se rëndësia e saj është sot më e madhe se kurrë.
Drafti i parë nga BBC i mëshon nevojës për angazhimin më të madh të mundshëm politik në lidhje me zbatimin e saj. Pritet gjerësisht që presidenti amerikan, Donald Trump, të njoftojë brenda ditës së enjte tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga kjo marrëveshje.
Deklarata e përbashkët Kinë-BE do të bëhet të premten, pas një samiti në Bruksel. Tërheqja e Trump do të përbënte një përmbysje të madhe të politikës së ndjekur ndaj klimës prej paraardhësit të tij, Barack Obama.
Një vendim i tillë do të kënaqte mbështetësit e republikanit brenda kufijve, por do të shkaktonte pakënaqësi të mëdha tek aleatët e Uashingtonit. Kryenegociatori i marrëveshjes së klimës në vitin 2015, Todd Stern thotë se, largimi i Trump ndaj një angazhimi të tillë do të linte gjurmë të thella në trashëgimine e tij si president.
“Vendimi i Shteteve të Bashkuara për t’u larguar nga pakti i Parisit do të kishte jehonë në mbarë botën e do ta dëmtonte shumë presidentin Trump dhe trashëgiminë e tij. Amerika ka ardhur në gjysmë të rrugës. Të kthehesh mbrapsht tani është kaq e panevojshme dhe e papërligjur”, tha Todd Stern.
Sipas një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë, kushtet që presidenti do të përcaktojë në njoftimin e tij të tërheqjes, do të lënë të hapur mundësinë që vendimi të mos jetë përfundimtar.
Top Channel