Hetimi për Rusinë, Flynn i dorëzohet presionit

31/05/2017 00:00

Ish-këshilltari për Sigurinë Kombëtare, Michael Flynn, më në fund duket se është dorëzuar dhe do të bashkëpunojë me Komitetin e Inteligjencës në Senat.

Mediet amerikane shkruajnë se ish-ndihmësi i Trump, i shkarkuar nga presidenti, do t’i japë komitetit dokumentet e kërkuara, si pjesë e hetimit për përfshirjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016.

Ish-gjenerali refuzonte prej kohësh që ta bënte këtë, por tashmë ka pranuar që të dorëzojë dokumentet që kanë lidhje me dy prej bizneseve të tij, si dhe dokumente të tjera personale.

Sipas medieve, pritet që Flynn ta bëjë këtë javën e ardhshme. Ekspertët thonë se Flynn dhe komiteti duket se më në fund kanë gjetur terren të përbashkët, por gjithashtu se ish-gjenerali po ndërgjegjësohet për pasojat serioze që mund të rezultonin nga refuzimi i tij.

Mediet shkruajnë se Komiteti i Senatit po përgatiste një urdhër ligjor për ta detyruar ish-këshilltarin e Trump që të paraqiste dokumentet e kërkuara. Javë më parë, në një lëvizje që u konsiderua mjaft e gabuar, Flynn kërkoi imunitet në këmbim të dëshmisë së tij, diçka që i vendosi vulën e fajtorit ende pa folur.

Trump e shkarkoi gjeneralin Flynn nga detyra e këshilltarit për Sigurinë Kombëtare në shkurt, vetëm 24 ditë pasi ishte emëruar, kur u mor vesh se nuk kishte dhënë informacione të sakta për kontaktet e tij me zyrtarë rusë.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta