
Bashkimi Europian duhet të tregohet më aktiv në mbështetje të Ballkanit. Kështu u shpreh ministri i Jashtëm gjerman Sigmar Gabriel gjatë një konference për Evropën Juglindore të mbajtur në ambasadën çeke në Berlin.
Sipas tij, BE duhet të bëjë hapa konkrete, në mënyrë që mbështetja të bëhet më e dukshme. Kjo, thotë Gabriel, do të shmangte që vendet e Ballkanit Perëndimor të humbasin interesimin për anëtarësim në Bashkimin Europian.
“Në Serbi, për shembull, një pjesë e madhe e popullsisë sipas sondazheve ende beson se Rusia është mbështetësja më e madhe e vendit, e kjo nuk duhet të ndodhë”-citon Zëri i Amerikës, ministrin e Jashtëm gjerman.
Gabriel shtoi se nuk është çudi që interesimi në Ballkanin Perëndimor për procesin e anëtarësimit është i kufizuar. Arsyeja, tha ai, është se shumica e njerëzve nuk janë në dijeni të veprimeve të Bashkimit Evropian.
“Kur i hedh një vështrim Ballkanit, rajonin tonë fqinj, që është kaq i rëndësishëm për ne, shqetësohem për disa zhvillime atje. Prandaj jam i bindur se të gjithë ne, veçanërisht vendet e rajonit, duhet të punojnë më shumë për një të ardhme paqësore, të begatë dhe evropiane për Ballkanin Perëndimor dhe Europën në tërësi,” tha ministri i Jashtëm gjerman.
Top Channel