Si rilind shëndetësia, këshilla e profesorit italian: Teknologji dhe specializime

30/05/2017 00:00

Profesor i Fiziologjisë Humane në Universitetin e Romës, ish-deputet në Parlamentin italian dhe që  prej 12 vitesh është profesor në një universitet mjekësie në Tiranë, i sugjeron qeverisë shqiptare të investohet në dy pika kryesore për të ngritur sistemin shëndetësor shtetëror në nivelin e vendeve të tjera të Bashkimit Europian.

E para sipas tij, ka të bëjë me modernizimin e aparaturave në koherencë paralele me zhvillimet e teknologjisë në shëndetësi.

“Një vend si Shqipëria që po bën progres me ritme të shpejta duhet të ketë dhe një sistem shëndetësor të përshtatshme dhe të njëjtë me vendet e tjera të BE. Por për këtë duhet të bëjë të mundur modernizimin e teknologjisë në strukturat e saj shëndetësore në spitale, apo klinika”, shprehet prof.dr.Aldo Brancati.

Për profesorin italian, në sistemin shëndetësor shtetëror në Shqipëri ka mungesë të theksuar mjekësh të specializuar dhe për këtë shumë pacientët shkojnë dhe kurohen në vende jashtë Shqipërisë.

“Kush mundet shkon për kurim në Itali, Gjermani, Francë, Turqi dhe ky është problem. Numri i specializantëve që dalin në një vit nuk është i mjaftueshëm dhe nuk e përballojnë sëmundshmërinë. Shteti shqiptar duhet të rrisë numrin e specializantëve. Për më tepër njohuritë e mjekëve duhen rifreskuar çdo 4 vjet, përsa kohë progresi i  njohurive në fushën e mjekësisë po ecën shumë shpejt”, thotë Aldo Brancati.

Sipas profesor Brancati shteti shqiptar duhet të mos lejojë ikjen e mjekëve drejt Gjermanisë apo vende të tjera, por t’u krijojë kushtet që ata të ushtrojnë profesionin e tyre në Shqipëri, në strukturat shëndetësore shtetërore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA