
Aeroplanmbajtësja e tretë amerikane, “USS Nimitz”, do të dërgohet nga Uashingtoni në perëndim të oqeanit Paqësor, në mënyrë që t’u bashkohet dy anijeve të tjera luftarake që ndodhen në gadishullin Korean, në një kohë kur kriza me Penianin është përshkallëzuar.
Në muajt e fundit situata në këtë zonë është tensionuar për shkak të testeve të shumta raketore të realizuara nga regjimi komunist i Koresë së Veriut.
Për t’iu përgjigjur akteve të Kim Jong un, Shtetet e Bashkuara fillimisht dërguan anijen “USS Carl Vinson” në rajon, së cilës më pas iu shtua “USS Ronald Reagan” në fillim të majit.
Dërgimi i së tretës, “USS Nimitz” përbën një zhvillim të ri, pasi kurrë më parë në dekadat e fundit nuk ka patur një prani kaq të theksuar të marinës amerikane në zonën e Paqësorit.
Mediat amerikane raportuan se presidenti Donald Trump mund të urdhërojë një sulm kundër Koresë së Veriut për shkak të aktiviteteve ushtarake të kësaj të fundit.
Nga ana tjetër, zyrtarët më të lartë të shtetit të izoluar komunist u përgjigjën duke thënë se vendi është gati për një sulm bërthamor në rast agresioni amerikan.
Testi i fundit raketor i Koresë së Veriut u zhvillua më 21 maj. Raketa balistike e llojit tokë-tokë fluturoi rreth 500 km përpara se të binte në detin e Japonisë, pak pasi arriti zonën ekskluzive ekonomike japoneze.
Top Channel