
Drejtori i Komunikimit në Shtëpinë e Bardhë, Mike Dubke ka dhënë dorëheqjen, vetëm 3 muaj pas marrjes në punë nga presidenti Donald Trump.
Strategu republikan me shumë eksperiencë u vendos në këtë post në muajin mars, me shpresën se do të ndryshonte fytyrën e këtij sektori.
Sekretari i Shtypit, Sean Spicer do të vazhdojë ta mbajë postin pas largimit të Dubke, por mund të ketë lëvizje të tjera.
Riorganizimi pason raportet se, ekipi i komunikimit në Shtëpinë e Bardhë ishte zhytur në pështjellim. Dubke duket se ka pranuar ta shtynte largimin e tij, derisa presidenti Trump të kthehej në Shtetet e Bashkuara nga turi i tij i parë jashtë kufijve, që e çoi në Lindjen e Mesme dhe Europë.
Mësohet se Trump ka qenë i pakënaqur me reagimin e Shtëpisë së Bardhë në mesin e hetimeve të Kongresit dhe FBI-së, mbi lidhjet e përfolura të disa zyrtarëve të tij të fushatës dhe komplotit të supozuar të Kremlinit për ta ndihmuar miliarderin të fitonte zgjedhjet presidenciale të nëntorit.
Top Channel